Кампања од јавен интерес за застапување и лобирање | Онлајн ресурси

Baktere në ujin në Patishka Rekë! A kontrollohet cilësia e ujit në çezmat publike?!

Стории

Ahmet Loku nga Çairi bashkë me familjen e tij çdo tre muaj vjen të shëtitet në vendin turistik Patishka Rekë. Siç thotë, vjen për shkak të ajrit të pastër dhe për të mbushur shishe me ujë nga çezma, sepse konsideron se uji në Patishka Rekë është i pastër.

“Natyra është shumë e mirë. Dalim dhe rrimë ka dy-tre ditë dhe kthehemi në shtëpi. Po mbushim edhe ujë. Uji është shumë i mirë. Pimë ka 3-4 gota nuk fryhemi në bark. Uji s’ka klor. Shumë uji i mirë është”, tha Ahmet Loku – qytetar.

Por, një qytetar i cili me vite të tëra ka mbushur ujë këtu, ka vendosur të bëjë një analizë biologjike të ujit. Rezultatet treguan se uji nuk i plotëson kriteret bakteriologjike të pastërtisë, respektivisht është konstatuar prania e baktereve “esherihija koli” dhe “enterokoki”.

Lidhur me atë se çka shkaktojnë këto baktere në organizmin tonë, biseduam me mjekun Mihail Koçubovski.

“Bëhet fjalë për baktere koliforme që mund të shkaktojnë sëmundje infektive të zorrëve te një person i cili nuk është mësuar me ujë të tillë. Supozoj se njerëzit e pinë atë ujë dhe kanë krijuar një zakon, veçanërisht të moshuarit, por tek fëmijët mund të shkaktojë probleme në traktin e zorrëve”, u shpreh Mihail Koçubovski – Specialist i Higjenës në Institutin për Shëndet Publik.

Koçubovski, thotë se zgjidhja është të bëhet klorimi i ujit, respektivisht dezinfektim nga ana e bashkësisë lokale.

“Uji nuk është i sigurt për ta pirë. Më së miri në këtë rast është që nëse uji nuk klorohet, njerëzit ta vlojnë 1-2 minuta, pastaj ta pinë kur ftohet”, theksoi Mihail Koçubovski – Specialist i Higjienës në Institutin e Shëndetit Publik.

Sipas Evgenija Kërstevskës nga Organizata Joqeveritare “Uji për ndryshime”, thotë se shumë zona rurale dhe grupe të margjinalizuara nuk kanë qasje deri te ujë i pastër.

“E drejta për shëndet është e drejta themelore e njeriut. Shteti është ai të cilit duhet t’i drejtohet rreth këtyre të drejtave. Ai ka për detyrë të sigurojë qasje në ujë dhe kushte të sigurta të kanalizimit për çdo person. Ne hasim probleme kur bëhet fjalë për pastrimin ose klorimin e ujit, por kjo nuk bëhet gjithmonë në zonat rurale”, deklaroi Evgenija Kërstevska – OJQ “Ujë për ndryshime”.

Uji në këtë vend ishte i pastër, por cilësia e tij është përkeqësuar pasi banorët lokal kanë vendosur burimin ta shndërrojnë në çezmë publike.

Nga Komuna e Sopishtës thonë se vazhdimisht po i ekzaminojnë çezmat publike, por pohojnë se nuk janë të sigurta për konsumim.

“Ato janë me burim lokal, i cili nuk kontrollohet. Cilësia e tyre është gjithmonë e ndryshueshme, përbërja kimike është e qëndrueshme, por përbërja bakteriologjike ndryshohet në këto çezma. I gjithë procesi nuk është i rregulluar në mënyrë sistematike. Bëhet fjalë për kapje klasike të një burimi dhe kush e di kur është bërë nga ana e banorëve lokalë. Është zënë burimi i cili me tuba është lidhur me çezmën”, shtoi Stefçe Tërpovski – Kryetar i Komunës së Sopishtës.

Nga OJQ “Uji për ndryshime”, thonë se 98% e qyteteve dhe 78% e zonave rurale kanë qasje deri te ujë i pastër. Kurse nga Instituti për Shëndet Publik janë me qëndrim se Maqedonia është një nga vendet e pakta në botë me ujë të pastër. Megjithatë, shpjegojnë se në mjediset rurale dhe në zonat më pak të populluara, uji ka baktere, sepse rrjedhja e ujit është shumë e vogël. Ndryshe, fshati Patishka Reka ndodhet 30km nga kryeqyteti dhe shtrihet në Malin Karaxhica.

 

Веста е оригинално објавена на ТВ21.

Оригинално објавена на:

ТВ21

Датум

24 јануари 2021