Кампања од јавен интерес за застапување и лобирање | Онлајн ресурси

Hidrocentralet, më shumë dëme se sa dobi!

Стории

Aktivistet që mbrojtën lumin Radikë, thonë se marrja e sasisë së ujit për punën e “Fushës së Likovës” do të dëmtonin tërësisht florën dhe faunën në rrjedhën e lumit, i cili ka edhe karakter ndërkombëtar, meqë rrjedha e lumit vazhdon edhe në Shqipëri

Vjollca SADIKU

Dibër, 12 qershor- Tanimë disa vite me radhë interesimi për ndërtimin të mini-hidrocentraleve në pjesën perëndimore të vendit tonë është në rritje, por në rritje është edhe shqetësimi meqë besohet se ndërtimi i tyre sjell më shumë dëme se sa dobi. Hidrocentralet, të cilët janë ndërtuar deri tani në territorin e komunës Dibër dhe Mavrovë Rostushë, kanë shkaktuar dëme të mëdha në sferën e mjedisit jetësor, por edhe dëme tjera. Pikërisht për këtë shkak, disa vite me radhë shoqatat joqeveritare, por edhe institucionet në këtë pjesë të vendit, kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve. Tani më kur besohet se është bllokuar tërësisht projekti për ndërtimin e centralit “Fusha e Lukovës”, pas protestave të shumta që kishte në Dibër dhe në Komunën Mavrovë Rostushë, megjithatë përsëri ka paralajmërime të tjera për ndërtimin e të njëjtave madje në territorin e Parkut Nacional “Mavrova”.

Aktivistet që mbrojtën lumin Radikë, thonë se marrja e sasisë së ujit për punën e “Fushës së Likovës” do të dëmtonin tërësisht florën dhe faunën në rrjedhën e lumit, i cili ka edhe karakter ndërkombëtar, meqë rrjedha e lumit vazhdon edhe në Shqipëri. Dritan Lleshi, njëri nga udhëheqësit e protestave para disa kohësh, potencon se meqë u mbrojt lumi Radikë, tani duhet të mbrohen edhe keqpërdorimet të ujërave të tjerë sepse interesimi për ndërtime të hidrocentraleve edhe më tej vazhdon.

“Nuk duhet të tolerohet ndërtimi i hidrocentraleve meqë me ta tërësisht dëmtohet edhe mjedisi jetësor i këtyre trevave të bukura që garantojnë edhe zhvillimin e turizmit”, thotë Lleshi, ndërsa shton se tentimet për ndërtimin e hidriocentralit “Fusha e Lukovës”, tek burimet e lumit Radikë, kanë qëllim dëmtues, meqë tentohet të merren sasi të mëdha të ujit të lumit Radikë, dhe pastaj lumit t’ia ndërrojnë rrjedhën për në lumin Vardar. “Kjo do të dëmtonte tërësisht florën dhe faunën në këtë rajon të bukur”, thotë Lleshi. Protesta për mbrojtjen e lumit Radikë atëkohë kishte edhe në Shqipëri, në qytetin kufitar të Peshkopisë, meqë ndërrimi i rrjedhës së lumenjve është kundër konventave ndërkombëtare.

Kundër tentimeve të reja për ndërtime të mini-centraleve në këtë rajon është shprehur edhe drejtoria e Parkut Nacional “Mavrova”. Drejtori Samir Ajdini ka deklaruar se pas ndërtimit të disa mini-centraleve deri tani, shihet qartë se dëmet në sferën e mjedisit jetësor janë të mëdha. “Ato shkatërrojnë natyrën e bukur dhe jetën në afërsi të centraleve. Prandaj, qëndrimi për të ndërtuar minicentrale në territorin e Parkut Nacional është e papranueshme”, thotë Ajdini. Para disa muajve pati edhe protesta nga banorët në komunën Mavrovë Rostushë në fshatin Zhirovnicë. Këto protesta kishin përkrahjen edhe të pushtetit vendor, meqë analizat tregojnë se nëse ndërtohen dy minicentrale, siç tentohet të ndodhë, me ujërat e përroskave të Zhirovnicës – atëherë do të paraqitet edhe problemi i furnizimit me ujë i disa fshatrave të Rekës të Poshtme. Shqetësimet janë të mëdha nga sektori qytetar, por edhe nga institucionet lokale. Sipas tyre, të gjitha analizat tregojnë se ndërtimi i mini-centraleve në këtë rajon me shumë ujëra dhe vegjetacion, do të sjell më shumë dëm sesa dobi.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës “Kthjellohu”, që realizohet nga Instituti për Komunikime Studimore, e financuar nga Ambasada Britanike në Shkup)

 

Сторијата е оригинално објавена на koha.mk

Оригинално објавено на:

koha.mk

Датум

30 јуни 2021