Кампања од јавен интерес за застапување и лобирање | Онлајн ресурси

MIJËRA BURIME UJI, POR UJI MUNGON! Pollogu me mbi 200 mijë banorë problem me ujin e pijshëm

Стории

“Në komunat jashtë qytetit, në përgjithësi kemi gjendje të rëndë të ujit për pije. Kemi të dhëna për çdo fshat veç e veç. Uji është i papastër për tu pirë. Nga analizat që i kemi bërë, rezultatet tregojnë se 68 për qind e ujit në vendbanimet jashtë qytetit – në aspektin mikrobiologjik nuk është i sigurt. Poashtu, uji nuk është i sigurt edhe në aspektin fiziko-kimik”, njofton për gazetën KOHA, Ratko Davidovski, mjek në Institutin për Shëndet Publik në Tetovë

Urim HASIPI

Shkup, 13 shkurt – Pothuajse një rajon i tërë me rreth 200 mijë banorë ka problem me cilësinë e ujit të pijshëm. Pollogu me mijëra burime nga Mali Sharr, assesi nuk po mund të tejkalojë këtë problem jetik, respektivisht të ketë ujë të pastër për pije. Tetova dhe Gostivari, së bashku edhe me komunat rurale – në shumë stinë të vitit nuk mund të sigurojnë ujë të pijshëm dhe ky problem, këta banorë i ndjek dekada me radhë. U deshën të kalojnë mbi 15 vite që nga viti 2000, kur për herë të parë filloi të ndërtohet ujësjellësi për qytetin e Tetovës. Brenda këtyre viteve, banorët e Tetovës kishin mungesë të ujit për pije, sidomos gjatë stinës së verës, por ujë aq sa kishte – ishte cilësor dhe pa asnjë problem. Fill pas ndërtimit të ujësjellësit të ri, kur të gjithë qytetarët menduan se tashmë problemi i ujit i takon së kaluarës, filluan problemet dhe telashet tjera. Gjatë vjeshtës dhe pranverës, kur rajoni i Tetovës përfshihet nga reshjet e shiut, uji ka shije të pakëndshme dhe nuk është për konsum. Ky problem dukej se do të zgjidhej me ndërtimin e filterstacionit, por problemi u përsërit edhe pas ndërtimit të të njëjtit. Gazeta KOHA për këtë problematikë ka raportuar disa herë dhe personat që merren me këtë problematikë sqarojnë se uji në burime është mjaft cilësor, por gjatë rrjedhës sidomos në kushte jo të volitshme klimatike (reshje shiu), uji ndotet.

PREMTIMET BOSHE PARAZGJEDHORE

Sipas tyre, jo që uji është i papërdorshëm, por ka erë dhe kjo shkakton shqetësime tek qytetarët. Janë qindra banorë të lagjes “146” në Tetovë, të cilët ndër vite ishin përballur me mungesë të ujit të pijshëm. Këta banorë detyrohen që në forma të ndryshme të sigurojnë ujë duke e ruajtur nëpër vende jo adekuate dhe kjo shpeshherë ka bërë që banorë të kësaj lagje të përfundojnë në repartin e sëmundjeve infektive për shkak të ndotjes së ujit me baktere. Problemi disavjeçar në këtë lagje është se, rezervuari për këtë lagje nuk është lidhur me filterstacionin në fshatin Lisec. Banorët e kësaj lagje disa herë janë ankuar nga politikanët, sidomos kur vjen koha e zgjedhjeve dhe kërkojnë vota e me këtë edhe premtojnë zgjidhje, por që pas zgjedhjeve – problemi lihet në harresë. Nga Komuna e Tetovës sërish premtojnë se brenda këtij viti ky problem do të zgjidhet. Nuk është vetëm qyteti i Tetovës, por edhe Gostivari përballet me këtë problem. Problemi më i fundit ndodhi në muajin janar të këtij viti, kur për shkak të ndotjes, uji u ndalua disa ditë me radhë për përdorim.

Komuna e Gostivarit thotë se pritet të fillohet me ndërtimin e një filterstacion modern, i cili do të mundësojë që këta banorë të kenë ujë cilësor. “Pritet të ndërtohet një filterstacioni të ri për ujësjellësin e Gostivarit, me të cilën pos furnizimit pa pengesa, gostivarasit përfundimisht do të konsumojnë edhe ujë të filtruar”, thonë nga ndërmarrja publike komunale “Komunalec” e Gostivarit. Problem me ujin e pijshëm kanë edhe vendbanimet rurale. Shumë bashkësi lokale të fshatrave të kësaj zone, në mungesë të ujit të pijshëm – sidomos gjatë verës, kyçin rrjedhat e lumenjve në rezervuar. Kjo paraqet rrezik për këta banorë, sepse mund të shkaktohen edhe helmime masive. Rasti i fundit ndodhi gjatë verës së vitit 2019, kur në rajonin e Komunës së Tearcës, mbi 300 banorë të disa fshatrave kishin kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e helmimit nga konsumimi i ujit. Me javë të tëra, uji ishte ndaluar në tre fshatra të kësaj komune (Tearcë, Gllogjë dhe Përshefcë) për shkak të cilësisë së dobët të ujit. Por, nuk janë vetëm këta fshatra që kanë problem me ujin e pijshëm në këtë komunë. Fshati Sllatinë, me rreth 5000 banorë dhe mbi 1000 amvisëri, gjithnjë ka problem me ujin e pijshëm. Uji në këtë fshat shpeshherë ndalohet për konsum nga ana e Shtëpisë së Shëndetit të Tetovës. Edhe sot e kësaj dite, uji në këtë fshat është i ndaluar për konsum. Në këtë Komunë, edhe fshati Dobrosht disa vite me radhë përballet me problemin e ujit të pijshëm. Nga analizat e bëra në vitin 2019, thotë mjeku Ratko Davidovski nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, del se rreth 70 për qind e fshatrave në Komunën e Tetovës, si dhe komunat rurale – ujin e kanë pasur jo të pijshëm.

“Në komunat jashtë qytetit, në përgjithësi kemi gjendje të rëndë të ujit për pije. Kemi të dhëna për çdo fshat veç e veç. Uji është i papastër për tu pirë. Nga analizat që i kemi bërë, rezultatet tregojnë se 68 për qind e ujit në vendbanimet jashtë qytetit – në aspektin mikrobiologjik nuk është i sigurt. Poashtu, uji nuk është i sigurt edhe në aspektin fiziko-kimik”, njofton për gazetën KOHA, Ratko Davidovski, mjek në Institutin për Shëndet Publik në Tetovë. Nga Qendra për Shëndet Publik thonë se Qeveria brenda një viti ndan mjete për analiza të ujit për gjashtë herë në vit, kurse që rezultatet të jenë gjithmonë të saktë – duhet që të bëhen 12 analiza brenda vitit. Sipas tij, në këtë qendër, ata kryejnë analiza në 92 fshatra në rajonin e ish-komunës së Tetovës. “Ne ndotim ujin vetë, me pakujdesinë tonë. Shpeshherë hasim kapakët e rezervuarëve të hapura, hasim në kaptazhe të mbushura me gjethe, dhe prania më e vogël e një gjeti në uji – për një kohë të shkurtë krijon baktere. Me rëndësi është të mirëmbahen rrjetet e ujësjellësit, ndërsa pjesa më e madhe e ujësjellësve në Tetovë janë mirë të ndërtuar, por kur nuk kujdesemi – mundësia e ndotjes së ujit është e madhe”, shprehet Davidovski.

Në të kaluarën, banorët e Tetovës përballeshin edhe me restrikcione të shumta gjatë ditës. Por cilësia e ujit në atë kohë ishte në nivel më të mirë dhe nuk kishte probleme të natyrës që ka sot. Tashmë, kur ky qytet ka ujë të pijshëm, i njëjti shpeshherë nuk e ka cilësinë e duhur. “Në strukturën e këtyre rezultateve dominojnë bakteret koliform, që nuk janë nga bakteret fekale dhe këto dominojnë në 65 për qind, por ky është një indikator se diçka mund të ndodhë dhe se duhet të merren masa. Unë shpeshherë kam potencuar se duhet të dezinfektohen dhe mirëmbahen rrjetet e ujësjellësve në këto vendbanime, sepse ka raste ku vet banorët kujdesen dhe nuk bëjnë si duhet dezinsektimin e ujit”, theksoi Davidovski. Sipas parashikimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Maqedoninë e veriut deri në vitin 2100 do të zhduken 13 për qind e sasive të përgjithshme të sasive të burimeve të ujit, lumenjve dhe ujërave nëntokësorë.

UJËSJELLËSIT ASSESI TË MBAROJË

Me reduktimin e ujit për pirje në Tetovë, lidhet dhe një fenomen i pazakontë. Uji i burimeve që e furnizojnë qytetin vjen nga shkrirja e borës së Sharrit. Sasia e burimeve fillon dhe rritet nga fundi i prillit, kurse në qershor dhe korrik arrin deri 550 litra ujë në sekondë, që është absolutisht e mjaftueshme për përmbushjen e nevojave të banorëve të qytetit. Nga mesi i qershorit, sasia e ujit fillon ngadalë të bie. Periudha më kritike është gjatë muajve të dimrit, kur rrjedhja e ujit bie në 200 deri në 250 litra në sekondë, dhe si pasojë, vendosen restrikcione më të gjata.

Kjo gjendje bëri që të kërkohen burime të reja të ujit për pirje, që të përmbushen nevojat e qytetit. Kështu, para njëmbëdhjetë vjetëve filloi ndërtimi i ujësjellësit të ri, me ujërat nga rrjedha e sipërme e lumit Pena, nëpërmjet së cilës planifikohej që qyteti të fitojë 250 litra në sekondë shtesë edhe gjatë periudhës më kritike të vitit. Ndërtimi i këtij ujësjellësi u shoqërua me shumë kontroversë. U morën kredi, edhe shteti jepte mjete, komuna hynte në borxh dhe shiste pronën e vet, por ndërtimi i ujësjellësit assesi të mbarojë. Në mbledhjet e Këshillit të komunës së Tetovës, viteve të fundit, disa herë është kërkuar të bëhet e ditur se sa para janë harxhuar deri tani për ndërtimin e ujësjellësit, por një informatë e tillë akoma nuk ekziston. Jozyrtarisht, vlerësohet se janë shpenzuar 10 milionë euro.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës “Kthjellohu”, që realizohet nga Instituti për Komunikime Studimore, e financuar nga Ambasada Britanike në Shkup)

 

Сторијата е оригинално објавена на Koha.mk.

Оригинално објавена на:

Koha.mk

Датум

12 февруари 2021