Кампања од јавен интерес за застапување и лобирање | Онлајн ресурси
koha-vest-4-featured

Mikroplastika po rrezikon lumenjtë dhe liqenet

Стории

Pikërisht kohëzgjatja e asgjësimit të plastikës është një rrezik i madh për mjedisin jetësor. Dr. Ilijovski thekson se mikroplastika, tashmë e pranishme në lumenj dhe liqene të Maqedonisë, është shumë e imët dhe është problematike asgjësimi i saj, ndërkohë që lehtë konsumohet nga peshqit. Veç kësaj, në masë të madhe dëmtohet edhe fauna që jeton në ujëra

Vjollca SADIKU

Dibër, 17 shkurt – Në Republikën e Maqedonisë së Veriut mikroplastika në ujëra është prezente. Në disa territore të vendit, prania e mbeturinave të plastikës është më i madh e në disa të tjera – më i vogël. Mbetjet plastike, për fat të keq ndotin ujërat të lumenjve, liqeve, por shpeshherë edhe burimet të cilët përdoren për pije. Qeset dhe shishet plastike i gjejmë kudo të hedhura. Mbetjet plastike duke marrë parasysh prezencën e tyre dekadave të fundit, të njëjtat kanë shkaktuar probleme të mëdha ekologjike në të gjithë territorin e vendit. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, rreziku më i madh vjen pikërisht nga përdorimi dhe hedhja e plastikës në lumenj dhe liqene, qofshin ata artificial apo natyror.

Problemi me mbeturinat plastike, sipas dr. Zllatko Ilijovski nga Instituti Ndërtimor Maqedoni, është një problem shumë serioz, meqë të gjithë shtatë llojet e plastikës prodhohen nga nafta apo nga djegiet fosile. Varësisht nga lloji i plastikës, sipas të dhënave të laboratorëve, periudha e asgjësimit varion nga disa muaj, por edhe deri më 500 vite. Ilijovski shton se pikërisht kohëzgjatja e asgjësimit të plastikës është një rrezik i madh për mjedisin jetësor. Duke komentuar mikroplastikën, Ilijovski thekson se ajo është shumë e imët dhe është problematike asgjësimi i saj, ndërkohë që lehtë konsumohet nga peshqit. Veç kësaj, në masë të madhe dëmtohet edhe fauna që jeton në ujëra.

MBETURINA TË DËMSHME NË DEPONITË E TË GJITHA KOMUNAVE TË VENDIT

Megjithatë, prania e mikropolastikës duket të jetë problem global. Në Maqedoni, thotë dr.Ilijovski, këto mbeturina të dëmshme mund të hasen në deponitë në të gjitha komunat e vendit, qofshin ato legale apo ilegale, dhe për fat të keq – edhe në ujërat e lumenjve dhe në liqene. “Në shumë vendbanime është bërë ‘traditë’ që këto mbeturina të hidhen në afërsi të lumenjve dhe si të tilla – shkaktojnë ndotje të ujërave. Është një pamje e shëmtuar kur kalon në afërsi të lumit të bukur Radika në Rekën e Poshtme. Në ujin e kthjellët shihen shumë mbeturina plastike, të cilët lundrojnë dhe përfundojnë në ujëra tjerë”, tregon dr.Ilijovski, ndërsa vlerëson se në vendin tonë, prioritet duhet të jetë vendosja e kontejnerëve në të gjitha vendbanimet, por edhe jashtë vendbanimeve me qëllim që të bëhet edhe selektimi i mbeturinave. Në këtë drejtim, shumë shoqata qytetare në pjesën perëndimore të vendit kanë realizuar projekte të shumta për grumbullimin dhe reciklimin e mbetjeve plastike. Përdorimi masiv i qeseve dhe shisheve plastike ka shkaktuar ndotje të lumit atraktiv të Radikës dhe nëpërmjet ujërave të këtij lumi, ndotjet nga masat plastike përfundojnë në liqenin e Dibrës.

Shoqata ekologjike “Deshati, Qendra për Zhvillim të qëndrueshëm të bashkësive, por edhe Hidrocentrali “Spilje”, vite me radhë çdo fillim-pranvere organizojnë pastrimin e bregut të Liqenit të Dibrës nga mbeturinat plastike. Sipas Goce Ljubinovskit nga Qendra për zhvillim të qëndrueshëm të bashkësive, nëpërmjet lumit Radikë, por edhe përroskave që vijnë nga Komuna rurale Qendër Zhupë në Liqenin e Dibrës, derdhen sasi të mëdha të plastikës. Ai thotë se sidomos gjatë stinës së pranverës, kur janë prezent reshjet e shiut, deponitë e egra që janë prezent në periferitë e fshatrave të rajonit të Rekës së Poshtme përfundojnë në Radikë dhe pastaj edhe në Liqenin e Dibrës. Ljubinoski potencon se ndotja nga mbetjet plastike shkakton probleme të mëdha të ujërave në këtë rajon të vendit. Shoqatat ekologjike dibrane shpeshherë së bashku organizojnë aksione vullnetare për pastrimin e mbeturinave në bregun e liqenit të Dibrës. Edhe përkundrejt aksioneve të shumta, sipas shoqatave në fjalë, ndotja e Radikës dhe ndotja e liqenit të Dibrës vazhdon.

Edhe shoqatat ekologjike nga Komuna Mavrovë Rostushë pohojnë faktin se prania e mbetjeve plastike në këtë komunë është e madhe. Mbetje plastike ka në liqenin e Mavrovës, por edhe në lumin e Radikës. Përroskat që vijnë nga fshatrat Zhirovnicë, Bitush, Jançe, e tjera – janë për plot me qese dhe shishe plastike, meqë në këtë rajon ka shumë deponi të egra. Lumi me epitet kombëtar – Radika, për fat të keq mbushet shpesh me plastikë të karakterit mikro, por edhe mikro. Mikroplastika dëmton drejtpërdrejt edhe jetën e peshqve të këtij rajoni. Për fat të mirë, analizat të institucioneve kompetente tani për tani nuk kanë zbuluar prezencë të mikroplastikës në burimet nga ku furnizohen me ujë banorët e të tre komunave të këtij rajoni perëndimor të vendit. Komuna Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë janë të bindur se ndotjet plastike kanë krijuar probleme të shumta në ndotjen e ujërave të rajonit. Pikërisht angazhimi i përbashkët mund të jetë rrugëdalje për të parandaluar vazhdimin e ndotjes nga mikroplastika në lumenj dhe liqene në këto tre komuna. Kryetarët e të tre komunave – Hekuran Duka i Dibrës, Arjan Ibraim i Qendër Zhupës dhe Medat Kurtovski i Mavrovë Rostushës tashmë kanë paralajmëruar edhe projekte të përbashkëta.

Problemi kryesor në lidhje me ndotjet e plastikës vjen edhe nga dështimi i projektit për mbrojtjen e Radikës, projekt ky që ishte financuar nga Qeveria Italiane nëpërmjet institucioneve qendrore të vendit. Fikret Ibraimi nga sektori për informim në Komunën Mavrovë Rostushë, thekson se projekti në fjalë nuk ia ka arrit qëllimit meqë stacionet për pastrimin e ujit nuk funksionojnë dhe mbetjet plastike vazhdojnë të përfundojnë në përroskat e fshatrave, të cilët më pas derdhen në lumin Radikë. Pushteti vendor i Mavrovë Rostushës, në bashkëpunim me shkollat fillore dhe të mesme, shpeshherë organizojnë aksione për pastrimin të mbeturinave, të cilët janë nëpër brigjet e lumit Radikë. Por, sipas Ibraimit, në pamundësi për të ndalur të gjitha mbeturinat, një pjesë përfundojnë në liqenin e Dibrës. Probleme ka edhe me hedhjen e mbeturinave plastike edhe në liqenin e Mavrovës. Eksperti për ekologji, Fatmir Alili nga Dibra, i cili është një ndër themeluesit e shoqatave ekologjike në qytet, thekson se mbetjet plastike po çrregullojnë edhe biodiversitetit në florën dhe faunën si në lumin Radikë dhe Drini i Zi, ashtu edhe në dy liqenet – atë të Dibrës dhe Mavrovës.

MINISTRIA PARALAJMËRON SISTEM RAJONAL TË INTEGRUAR

“Problemi me mbeturinat plastike që nga rajoni i Rekës së Poshtme derdhen nëpërmjet lumit Radikë në liqenin e Dibrës, viteve të fundit kanë dëmtuar shumë ujërat. Gjatë pranverës, liqeni i Dibrës në disa pjesë të tij shndërrohet në deponi të plastikave. Një pjesë e plastikave pastrohet duke realizuar aksione vullnetare nga shoqatat ekologjike, por qëndron fakti se pjesa tjetër për shkak të pamundësisë që të pastrohet, përfundon në ujërat e liqenit”, thotë Alili, ndërsa sugjeron të vendoset rrjetë metalike tek Ura e Kosovrastit me qëllim që mbetjet plastike – kryesisht shishet të grumbullohen në këtë lokacion. Deri tani, kjo nuk ka ndodhur për shkaqe subjektive, thekson ai. Po ashtu, thotë ai, nevojiten projekte për analiza më të shpeshta të dëmeve që shkakton mikroplastika sidomos për jetën e faunës në ujërat të këtij rajoni. Në lidhje me problemin të mbetjeve që hidhen në lumenj dhe liqene, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se politikat e kësaj ministrie synojnë krijimin e një sistemi rajonal të integruar të menaxhimit të mbetjeve. Arsim Fidani, shef i kabinetit të kësaj ministrie, thotë se punohet për të tejkaluar problemin me një zgjedhje të përhershme për deponitë ilegale dhe depozitimin e papërshtatshëm të mbetjeve, si dhe zbatimin e sistemit të reciklimit dhe reduktimit të mbetjeve.

“Nevojitet një kontroll i kombinuar dhe i përforcuar për të zvogëluar presionin e mbetjeve komunale mbi mjedisin duke përfshirë edhe brigjet e lumenjve”, thotë Fidani, ndërsa shton se për të kapërcyer këtë problem, nevojitet edhe një shkallë e lartë e ndërgjegjësimit të popullatës për pasojat që mund të ndodhin si rezultat i hedhjes të pamatur të mbetjeve përgjatë lumenjve dhe liqeve. Ministria, thotë Fidani, rregullisht në baza vjetore përcakton fonde për pastrimin e deponive ilegale dhe mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve. Duke marrë parasysh situatën në fjalë, por edhe përcaktimet e Ministrisë, në Dibër dhe rajon ka patur aktivitet për reciklimin e mbetjeve plastike. Me projektet e shoqatave qytetare para disa viteve është siguruar një pajisje për përpunimin e mbetjeve plastike. Kjo pajisje ju dha në përdorim ndërmarrjes komunale publike “Standardi” në Dibër. Reciklimi i shisheve të plastikës filloi për një kohë, por që pastaj ngeci.

Po ashtu, edhe shoqatat qytetare kanë realizuar projekte për reciklimin e plastikës, por jo me ndonjë sukses të veçantë. Shoqatat theksojnë se, edhe pse ka patur më parë projekte për rritjen e vetëdijes të qytetarëve për rrezikun që sjellim mbetjet plastike, dëmet vazhdojnë të bëhen. Sot, Dibra dhe komunat për rreth vazhdojnë të ballafaqohen me këtë problem të madh, i cili ndot mjedisin jetësor. Duke marrë parasysh faktin dhe argumentet se mbetjet e plastikës mbeten shumë vite mbi tokë dhe në ujëra, atëherë – thonë shoqatat – kërkohet një angazhim më i madh edhe i pushtetit vendor dhe qendror për tu ballafaquar me ndotjen në fjalë. Në kontaktet me institucionet kompetente thuhet se tani për tani nuk ka problem të theksuar me praninë e mikrpoplastiksë në ujin për pije, por e pranojnë prezenca e mikroplastikës në lumenj dhe liqene. Kjo prezencë shkakton probleme të mëdha tek peshqit.

PLASTIKA PUSHTON TRUPIN E NJERIUT

Plastika pushton edhe grimin. Sipas Greenpeace, në 79% të produkteve kozmetike janë gjetur përmbajtje plastike, dhe në 38% të tyre janë gjetur pjesëza solide, që ndryshe njihen me emrin mikroplastike. Bëhet fjalë për buzëkuqë, rimel, krem-pudër, pudër etj, të cilat nga fytyra hyjnë në kontakt të menjëhershëm me sytë dhe gojën. Analizat janë kryer nga organizata mjedisore në kuadër të raportit mbi hetimet laboratorike mbi këto produkte të konsumit të përditshëm.  Në detaj, ndër produktet e analizuara, janë rimelët për qerpikët ata që kanë përmbajtjen më të lartë të përbërësve plastike, në 90% të rasteve. Ndiqen nga shkëlqyesit për buzë dhe buzëkuqe në 85% dhe kremi-pudër në 74% të produkteve të kontrolluara. Greenpeace thekson se ka kontaktuar edhe me të gjitha markat më problematike në kuadër të përdorimit të substancave të dëmshme në produktet kozmetike, dhe pas analizave të njëpasnjëshme dhe konfirmimeve përkatëse, ka publikuar edhe listën e tyre, duke shpresuar të merren masat e nevojshme.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës “Kthjellohu”, që realizohet nga Instituti për Komunikime Studimore, e financuar nga Ambasada Britanike në Shkup)

 

Сторијата е оригинално објавена на Koha.mk.

Оригинално објавена на:

Koha.mk

Датум

17 февруари 2021