Кампања од јавен интерес за застапување и лобирање | Онлајн ресурси
koha-vest-3-featured

S’ka kush e ndalë mafian pyjore!

Стории

Prerja masive e pyjeve shkakton erozion të dheut, vërshime, shkatërrim të biodiversitetit, si dhe ndikim ka edhe në ndotjen e ajrit. Dukuria e prerjes ilegale të druve është pasojë e çmimit të lartë të rrymës elektrike dhe qytetarët e këtyre rajoneve preferojnë që të ngrohen me dru në vend se me rrymë elektrike. Pikërisht kjo ka bërë që të ketë shfaqje të dukurisë së prerjes ilegale edhe në mënyrë individuale

Urim HASIPI

Tetovë, 16 shkurt – Gati se dy dekada, pyjet në Maqedoninë e Veriut janë duke u shkatërruar në mënyrë të pamëshirshme. Ka edhe indikacione të organizatave joqeveritare, të cilët pretendojnë se në një vit – nga shitja e druve të prerë në mënyrë ilegale përfitimet arrijnë deri në 60 milionë euro. Në këtë drejtim nuk kanë munguar edhe veprimet e policisë pyjore. Sipas Qendrës për Strategji Evropian “Euro Think”, gjatë dhjetë viteve të kaluara janë konfiskuar sasi e madhe e druve të prerë në mënyrë ilegale. Në Entin Shtetëror për Statistikë ndërkohë thonë se dëmet në pyje, nga viti 2010 e këndej – nga prerja ilegale e druve llogariten 245.118 metër kub.

“Në periudhën prej 2010 deri në vitin 2020, Policia Pyjore ka konfiskuar 4238 automjete dhe 6626 pajisje për prerje duke përshirë sharrë motorike, sëpata, rimorkio dhe pajisje tjera për transport të druve”, qëndron në raportet e qendrës “Euro Think”. Në raportet e detajuara të kësaj qendre, thuhet se hajnat e druve, shfrytëzojnë automjete të paregjistruara që të mos identifikohen gjatë konfiskimit. Nuk mungojnë as kërcënimet edhe ndaj rojtarëve të pyjeve. “Në periudhën nga 2010 e deri më 2020, policia pyjore ka parashtruar gjithsej 43.120 raporte për prerje ilegale dhe gjithsej 7734 padi”, thonë nga kjo qendër. Sipas të dhënave të agjencive botërore që merren me këtë problematikë, nga viti 2001 e deri në vitin 2020, Maqedonia e Veriut ka humbur 38.600 hektarë pyje. Në përgjithësi, pothuajse tërë vendi është nën kërcënimin e të ashtuquajturës “mafia pyjore”, por evidentohen tetë rajone si më kritike ku prerja e paligjshme është më e theksuar. Bëhet fjalë për rajonin e Kumanovës, Kërçovës, Manastirit, Strugës, Tetovës, Shkupit, Berovës dhe Gostivarit.

NË POLLOG, PRERËSIT ILEGAL TË DRUVE JANË MË AKTIVË

Ajo që është më problematike për të parandaluar këtë dukuri është numri i vogël i pjesëtarëve të policisë pyjore nëpër këta rajone si më kritike. Ky numër i pamjaftueshëm i policëve pyjorë ka bërë që kryerësit e kësaj vepre, të kenë duart e lira për të prerë lirisht dru pa u penguar nga askush. Nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, kemi marrë përgjigje se ka shumë rajone në Pollog, ku prerësit ilegal të druve janë më aktivë. Zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi, për gazetën KOHA njofton se edhe në Tetovë dhe në Gostivar – ka vende ku është evidentuar prerje masive e druve. “Gjatë kontrolleve si vatra potenciale të kësaj dukurie masive të prerjeve dhe vjedhjeve ilegale, janë vendet kryesisht të pabanuara të cilat janë zbuluar në zonën e Malit Sharr, pastaj në zonën e Malit të Thatë, si dhe në zonën malore të fshatrave Sedllarevë, Leshnicë, Cerovë, Merovë, Çellopek dhe vende të tjera, ndërsa në Gostivar – ky fenomen paraqitet në rajonin e Mavrovë-Rekë e Poshtme në zonën e fshatrave Gjurgjevishtë, Srbinovë, Çegran, Duf, Pozharan, Forinë, Mitrovi Krsti, Kunovë, Mazdraçë, Reçan, Orqushë, Kunovë, Lumi i Hekurt, Koritë, Simnicë, Gjonovica e Epërme dhe e Poshtme, Dobërdoll, Lakavicë dhe Zubovcë”, thotë zëdhënësi i policisë në Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Nga policia e Tetovës nënvizojnë se gjatë vitit 2020, janë regjistruar 44 vepra që kanë të bëjnë me këtë dukuri. “Sipas të dhënave statistikore të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, i cili në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Inspektoratin Shtetëror për Pylltari dhe Gjueti, Policinë Pyjore dhe Ndërmarrjen Publike ‘Pyjet e Maqedonisë’, gjatë vitit të kaluar (2020) janë kryer aksione kontrolluese në tërë territorin e SPB Tetovë, kështu që janë regjistruar gjithsej 44 vepra penale edhe atë në Tetovë 10 dhe 34 në Gostivar, kurse në vitin 2019 janë regjistruar 56 vepra penale. Vitin e kaluar, gjithsej 15 persona janë raportuar si autorë të veprave, prej të cilëve 10 persona janë nga Tetova dhe pesë të tjerët janë nga zona e Gostivarit, kurse në vitin 2019 ishin raportuar 48 persona si autorë të kësaj vepre. Në bazë të evidentimit të veprave, dy persona paraqiten si përsëritës në ekzekutimin e veprave penale, kundër të cilave janë ngritur 11 kallëzime penale”, nënvizon zëdhënësi Rexhepi.

“GORA”, AKSIONI QË KONSTATOI DËME 335 MILIONË EURO

Sipas kategorizimit të veprave, në vitin 2020 ishin regjistruar 19 vepra si “shkatërrim i pyjeve”, kurse për këtë vepër – një vit më parë ishin ngritur 22 padi penale. Në 2020, si vepra penale “vjedhje të drurit” ishin regjistruar 22 vepra penale, kurse në vitin 2019 kishte 29 vepra të kësaj natyre. Një vepër penale është kundër një personi për shkak të abuzimit me pozitën zyrtare dhe një sulm ndaj një polici pyjor. Nga policia e Tetovës më tej nënvizojnë se janë konfiskuar sasi e madhe e druve gjatë dy viteve të kaluara. “Gjatë vitit 2020, nga ana e shërbimeve policore është arrit në përfundimin, se në procedurë penale gjatë kryerjes së prerjeve ilegale dhe vjedhjeve të druve, janë prerë gjithsej 792 trungje, nga të cilat 715 trungje ose 18.93 metra kub janë në pronë të shtetit. Në vitin 2019 ishin prerë 1349 trungje ose 75.76 metër kub. Në Tetovë, në pronë private ishin prerë 64 metër kub dru, kurse në Gostivar 59 metër kub dru. Po ashtu edhe 18 trungje janë prerë në pronësi të Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut”, thonë për gazetën KOHA nga policia e Tetovës.

Në bazë të dhënave që jep Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, qëndron se ka një zvogëlim të këtyre veprave në dy vitet e fundit. “Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2020 mund të vërehet se është arritur një zvogëlim i veprave të këtij lloji për 21 për qind në krahasim me vitin paraprak 2019”, pohojnë nga SPB në Tetovë. Sipas hulumtimeve të bëra, nga viti 2010 deri në vitin 2019, policia pyjore ka ngritur 287 kundërvajtje dhe 97 padi penale për prerje ilegale të druve në rajonin e Gostivarit. Në vitin 2014, Ministria e Punëve të Brendshme ndërmori një aksion të gjerë kundër prerjes dhe shitjes ilegale të druve. Ky aksion mbante kodin “Gora”. Nga fillimi i këtij operacioni ishin ngritur gjithsej 1334 padi penale kundër 2204 personave. Një sasi e madhe e druve ishte konfiskuar, kurse dëmi material ishte vlerësuar rreth 335 milionë euro. Sipas ekspertëve, prerja masive e pyjeve shkakton erozion të dheut, vërshime, shkatërrim të biodiversitetit, si dhe ndikim ka edhe në ndotjen e ajrit. Dukuria e prerjes ilegale të druve është pasojë e çmimit të lartë të rrymës elektrike dhe qytetarët e këtyre rajoneve preferojnë që të ngrohen me dru në vend se me rrymë elektrike. Pikërisht kjo ka bërë që të ketë shfaqje të dukurisë së prerjes ilegale edhe në mënyrë individuale.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës “Kthjellohu”, që realizohet nga Instituti për Komunikime Studimore, e financuar nga Ambasada Britanike në Shkup)

 

Сторијата е оригинално објавена на Koha.mk.

Оригинално објавена на:

Koha.mk

Датум

16 февруари 2021