Кампања од јавен интерес за застапување и лобирање | Онлајн ресурси

Ujëra të zeza në Shkumbin

Стории

Analizat janë bërë në pjesën e qytetit të rrjedhës së Lumit Shkumbin, saktësisht më poshtë se Spitali Klinik i Tetovës. Në këtë zonë më shumë hidhen mbeturina dhe derdhen ujërat e zeza, prandaj edhe ka nivel më të lartë të ndotjes

Urim HASIPI

Tetovë, 15 qershor – Në pranverë kualiteti i ujit të Lumit Shkumbin në Tetovë është në kategorinë e dytë. Gjendja më kritike paraqitet në verë dhe vjeshtë, kur Lumi Shkumbin kalon në kategorinë e tretë sipas ndotjes, dhe atëherë është i ndaluar edhe për not. Institucionet shtetërore kryejnë analiza të rregullta të kualitetit të ujit dhe deri tek ndryshimi vjen si pasojë e hedhjes së mbeturinave të forta, mbeturina të ndryshme të amvisërisë dhe derdhja e ujërave të zeza nga fshatrat e Malësisë së Tetovës. Në këto fshatra ka mungesë të sistemit të kanalizimit fekal dhe Lumi Shkumbin është vendi ku këto ujëra derdhen. Pikërisht këto janë arsyet që ndodh ndryshimi i cilësisë së ujit të këtij lumi përgjatë vitit. Ratko Davidovski, mjek në Qendrën për Shëndet Publik në Tetovë, thotë se për dallim nga viti i kaluar, në këtë periudhë gjendja është përmirësuar me kualitetin e ujit të Lumit Shkumbin për 30 për qind, por situata pritet që të përkeqësohet gjatë verës dhe vjeshtës.

Përmirësimi i cilësisë së ujit të Lumit Shkumbin ka të bëjë para së gjithash me aktivitetin e faktorit njeri, dhe kjo ka ardhur si pasojë e mbylljes për shkak të pandemisë. Por edhe përkeqësimi i gjendjes është njëjtë për shkak të aktivitetit të faktorit njeri, hedhja e mbeturinave dhe kanalizimi fekal. “Por ajo që nuk është në rregull është ngjyra e ujit, turbullimi, era, shija, materiale të dukshme të amvisërive. Po ashtu kjo situatë shkaktohet nga ujërat fekal dhe atmosferik të fshatrave të Malësisë së Sharrit, ku këto ujëra derdhen në Lumin Shkumbin, dhe problemi kronik për Tetovën është mungesa e deponisë për mbeturina, të cilët hidhen në lum. Ky është një dëm i madh sepse që nga burimi i lumit e deri në derdhjen e tij në dalje të qytetit, kemi lëvizje për një kategori”, tha Davidovski.

Analizat janë bërë në pjesën e qytetit të rrjedhës së Lumit Shkumbin, saktësisht më poshtë se Spitali Klinik i Tetovës. Në këtë zonë më shumë hidhen mbeturina dhe derdhen ujërat e zeza, prandaj edhe ka nivel më të lartë të ndotjes. Jo rrallë herë në këtë lum janë parë autoritetet komunale, të cilët bëjnë pastrimin e shtratit të Lumit Shkumbin, duke larguar edhe lloj-lloj mbeturinash, por kjo situatë përsëritet. Nga Komuna e Tetovës theksojnë se brenda vitit ndahen mjete për pastrimin e Lumit Shkumbin nga ana e Ministrisë së Ekologjisë. “Në e kemi pastruar dy herë lumin në fund të qytetit, por si duket ka nevojë sërish të pastrohet dhe ndonjëherë edhe kushtet klimatike nuk lejojnë ndonjëherë, por gjithsesi se duhet që të pastrohet”, thotë Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Ekspertët vlerësojnë se duhet që të ndërtohen stacione të filtrimit për fshatrat e Malësisë së Tetovës dhe deponi për hedhjen e mbeturinave. “Zgjidhja është tek ndërtimi i stacioneve filtruese për ujërat fekal në fshatrat e Malësisë së Sharrit dhe ndërtimi i deponive për mbeturinat e forta që të njëjtat mos hidhen në lum. Fatmirësisht, përgjatë Lumit Shkumbin nuk kemi kapacitete industrial që do të ndotnin ujin, prandaj edhe relativisht ndotja është në aspektin teknik dhe jo në përmbajtjen e ujit”, shprehet Davidovski.

Në ndërkohë, nga komuna kanë theksuar se nuk kanë ndonjë mega projekt që tërësisht të ndryshohet pamja e Lumit Shkumbin, me ndriçim, me gjelbërim dhe me shtrat dhe mure të rregulluara, që do të ndryshonte komplet pamjen në këtë pjesë të qytetit të Tetovës. Burimet e Lumit Shkumbin ndodhen rreth 2.500 metra mbi nivelin e detit në masivin e Malit të Sharrit. Lumi i Tetovës është dega më e madhe e Vardarit që formohet në Malin e Sharrit. Ka rrjedhën më të gjatë të ujit malor, respektivisht 29.7 kilometra nga burimi për në Tetovë.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës “Kthjellohu”, që realizohet nga Instituti për Komunikime Studimore, e financuar nga Ambasada Britanike në Shkup)

 

Сторијата е оригинално објавена на koha.mk

Оригинално објавено на:

koha.mk

Датум

30 јуни 2021